GLIKO SHALQIRI (2 mënyra)
Shalqiri është fruti që na shoqëron përgjatë stinës së verës. Përmban shumë vitamina e minerale dhe mund të themi që nuk mund të kalojmë verën pa shijuar këtë frut. Zakonisht lëkurat e shalqirit i hedhim, por me to fare mirë mund të gatuajmë një ëmbëlsirë të shijshme siç është glikoja.
Përbërësit:
- 1 kg lëkurë shalqiri
- 2 shkopa vanilie
- 2 limona
- 1 kg sheqer
Përgatitja:
Për të përfituar një reçel shalqiri sa më të mirë, së pari ju duhet një shalqi me lëkurë të trashë, pasi ky reçel bëhet vetëm me të bardhën e lëkurës së shalqirit.
Pasi të qëroni pjesën e jashtme jeshile të tij, priteni pjesën e bardhë në copa 1 centimetër të trashë.
Futini copat e shalqirit në tenxhere dhe ziejini për 10 minuta.
Ndërroni ujin e nxehtë me ujë të ftohtë dhe ziejini përsëri për 10 minuta.
Pastaj futni copat në tenxhere me ujë të ftohtë dhe i ndërroni ujin 6 – 8 herë për 24 orë.
Për një kilogram shalqi duhen 1 kilogram sheqer kaf, ose sipas dëshirës. Në tenxhere hidhet sheqeri dhe ujë sa të mbulojë nivelin e sheqerit.
Ziejeni deri sa të keni shërbetin e trashë e pastaj hidhen copat e shalqinit.
Më pas shtohet edhe vanilja dhe 2 limonat e shtrydhur. Ziejeni edhe për 20 minuta dhe fikeni zjarrin.
Hiqni shkumën dhe mbuloni tenxheren me napë deri sa të ftohet.
Ruajeni në frigorifer dhe servireni të ftohtë.
Mënyra e dytë
Përbërësit:
- 1 kg lëkura shalqiri të qëruara
- 1 kg sheqer
- 1/3 lugë kafe me vanilie
- 1 limon (lëngun)
Për lëkurat e shalqirit
- 2 lugë supe me gëlqere
- 10 gota me ujë
Përgatitja:
Pasi të qëroni pjesën jeshile të jashtme të shalqirit prisni pjesën e bardhë të lëkurave në kubikë.
Tretni 2 lugët e gëlqeres në 10 gota ujë dhe hidhni në të shalqirin e prerë në kubikë.
Lereni shalqirin në ujin e gëlqeres për 2 orë dhe më pas kullojeni dhe shpëlajeni me ujë të rrjedhshëm.
Në një tenxhere hidhni pjesët e shalqirit, sheqerin dhe lerini të ziejnë në zjarr te ngadaltë.
Pasi fillon të trashet, shtoni vanilien, lëngun e limonit përziejini mirë dhe lerini edhe 7 minuta të tjera në zjarr me temperaturë të ulët.
Hiqni nga zjarri dhe lereni të ftohet plotësisht.
Vendoseni në vazo të sterilizuara.
Ju bëftë mirë!