AKULLORE

AKULLORE



Me afrimin e ditëve të nxehta të verës, edhe dëshira për akullore shtohet ndjeshëm.

Prandaj, pse të mos pregatisim një akullore shtëpie me përbërës të thjeshtë dhe të shijshëm? Mund ta konsumoni në cfarëdo momenti: për mëngjes, bashkë me drithërat tuaja të preferuar, pas një vakti të plotë apo t’ia shtoni frutave të freskëta.


Përbërësit:


- 250ml qumësht,

- 250ml pana për ëmbëlsira,

- 100gr çokollatë të zezë,

- 100gr sheqer,

- 2 të verdha vezësh,

- 1 lugë miell.


Përgatitja: 


Vendosim një tenxhere çeliku (jo alumini!) në akull.

Si fillim, vëmë çokollatën e zezë për t’u shkrirë në një enë në zjarr të ngrohtë.


Ndërkohë ziejmë qumështin bashkë me miellin për disa minuta duke i përzierë vazhdimisht derisa të formohet një përbërje kremoze jo shumë e trashë. E heqim nga zjarri, shtojmë dalëngadalë çokollatën e shkrirë duke vazhduar përzierjen me kujdes, mbulojmë sipërfaqen me letër alumini në mënyrë që të mos zërë një shtresë të holla dhe e lëmë përbërjen të ftohet në temperaturë ambienti.


Rrahim me ndihmën e një mikseri të verdhat e vezëve me sheqerin për disa minuta derisa të përftojmë një masë me ngjyrë të hapur.



Kur përbërja me çokollatë të jetë ftohur, shtojmë në tenxhere edhe vezët me sheqerin duke i përzierë mirë dhe i vendosim të gjitha në zjarr shume të ngadaltë.


Në këtë fazë duhet të përftojmë një krem të cilin e lëmë të ftohet përsëri dhe vetëm kur të jetë ftohur plotësisht, shtojmë panën për ëmbëlsira duke e rrahur edhe për pak minuta me mikser.


E hedhim kremin në tenxheren e çelikut që kemi vënë paraprakisht në akull dhe ky është momenti kyç i të gjithë procedurës. Akullorja duhet të përzihet të paktën 6 herë në 3 orë, pra çdo 30 minuta për 3 orët e para, në mënyrë që të thyhen kristalet e akullit që formohen në fillim, të ngrijë uniformë dhe të qëndrojë kremoze. E lëmë në frigorifer edhe për 5 orë të tjera apo më mirë gjithë natën.


Ju bëftë mirë!




comments powered by Disqus
akullore

TË TJERA RECETA

RECETA GATIMI
Lexoni të tjera receta
Share by: