Mishi i viçit është një nga ato produkte që nuk mungon asnjëherë në tryezat e shqiptarëve, kështu që nëse ju ka mbetur ndopak në frigorifer, mos ngurroni të provoni këtë recetë.
Përbërësit:
- 800 gr mish
- 100 gr proshutë koto në feta
- 70 gr lajthi të pjekura më parë në furrë ose në tigan pa vaj, ose arra
- 100 gr djathë kaçkavall që mund të shkrihet, i prerë në feta të holla
- 1 bistak rrush, mundësisht pa bërthamë
- 1 tufë majdanoz
- 1 gotë verë
- 1/2 gotë qumësht
- 2 lugë gjalpë
- 3 lugë vaj ulliri
- kripë e piper sipas nevojës
- spango kuzhine
Përgatitja:
Mishin e presim në mes me thikë (sikur hapim një libër), e shtypim me rrahësen e mishit dhe e spërkasim me kripë e piper.
Vendosim sipër fetat e proshutës, djathit, kokrrat e rrushit të prerë në mes, gjethe majdanozi dhe lajthi. E mbledhim mishin role, e lidhim me spango kuzhine për së gjeri e për së gjati, e lyejmë sipër me pak kripë e piper dhe më pas e skuqim në një tenxhere me 3 lugë vaj dhe 1 lugë gjalpë për 6/7 minuta, derisa të krijojë kore nga të gjitha anët. Pasi të ketë marrë ngjyrë të kuqërremtë, e shuajmë me verë dhe qumësht. I vëmë kapakun dhe e lëmë në zjarr të ulët për rreth 1 orë, duke e rrotulluar mishin herë pas here me dy lugë druri ose lugë normale që të mos e shpojmë. Koha e zierjes varet se sa i njomë është mishi që do të gatuani.
Kur duhen edhe 10 minuta të përfundojë zierja, në tenxhere shtojmë disa kokrra rrushi dhe lugën e gjalpit që kishim lënë mënjanë. Kur të jetë zier, e lëmë të pushojë pak minuta dhe më pas i heqim spangon dhe e presim në feta.
E shërbejmë me salcën që është krijuar në tenxhere.
Ju bëfshin mirë!