Përbërësit:
- 120 gr miell orizi
- 30 gr miell misri i bluar imët
- 80 gr gjalpë i butë në temperaturë ambienti
- 100 gr arra të qëruara, të grira në thërrime ose lajthi
- 50 gr bajame të qëruara
- 40 gr mjaltë
- 1 vezë
- 70 g sheqer kaf
- 1 limon organik
- 1 lugë e vogël sodë për ëmbëlsira
- një majë thike kripë
Përgatitja:
Grijmë në mikser arrat me një lugë miell orizi, derisa të bëhen thërrime.
Në një tas, përziejmë me lugë druri miellin e orizit që na ka mbetur, me miellin e misrit, sodën që e hedhim me sitë, arrat e grira, sheqerin, gjalpin, mjaltin, vezën të rrahur më parë me pirun, lëkurën e grirë të limonit dhe një majë thike kripë. I përziejmë më pas me dorë, derisa të përftojmë një brumë që nuk ngjit. E mbështjellim me plastmasë kuzhine dhe e lëmë në frigorifer për 30 minuta.
Pas kësaj kohe nxjerrim brumin nga frigoriferi dhe me dorë bëjmë topa të vegjël sa një kokërr arre. I vendosim në tavë me letër furre dhe me duar të lagura i shtypim, për t’i bërë më të sheshta. Sipër u vendosim nga një bajame sipas dëshirës.
I pjekim për rreth 15 minuta në furrën e ngrohur më parë në 180° C ose derisa të shohim që kanë marrë ngjyrë të artë.
Kur janë të nxehta, janë shumë delikate, prandaj, kur të jenë ftohur, i heqim nga tava me ndihmën e një aksesori të sheshtë.
Ju bëftë mirë!