LLOKUME ME PORTOKALLE

LLOKUME ME PORTOKALLE



Është e pamundur të dëgjosh për llokumet e të mos tundohesh menjëherë nga dëshira për t’i shijuar.

Të buta, të ëmbla, të shijshme, llokumet janë fantastike për të ëmbëlsuar veten në çdo kohë.

Ju sugjerojmë më poshtë një recetë shumë të thjeshtë të përgatitjes së llokumeve me lëng portokalli, e cila përgatitet në vetëm pak minuta, por shija e saj do t’ju ëmbëlsojë jo vetëm ju, por edhe më të dashurit tuaj në familje apo edhe miqtë dhe të afërmit.

Nëse dëshironi një shije edhe më të veçantë dhe një ngjyrë portokalli më të ndezur në të kuqe për këtë recetë mund të përdorni portokalle-shegë.

Përbërësit:

- 4 gota me lëng portokalli të shtrydhur
- 1 gotë ujë sheqer
- 2-3 lugë gjelle me niseshte
- sheqer pudër (nëse preferoni në vend të sheqerit pluhur mund të përdorni arrë kokosi të grirë)

Përgatitja: 

Si fillim shtrydhim portokallet. Për një gotë me lëng portokalle duhen rreth 2-3 kokrra portokalle.

Pasi keni shtrydhur lëngun, ju këshillojmë ta kulloni nga farat apo pjesëzat e tulit përmes një kullorëse të pastër.

Më pas, lëngun e portokallit hidheni në një tenxhere të pastër.

Shtojmë sheqerin dhe niseshten dhe i vendosim në zjarr.

I përziejmë pa ndërprerje përmes një luge druri derisa masa të trashet dhe të jetë kompakte.

Masën e llokumeve e hedhim në gota cilindrike apo forma të tjera nëse keni.

Nëse i hidhni në gota cilindrike, lërini të ftohen dhe më pas nxirrini nga gota dhe prijini në feta rrethore.

Nëse dëshironi llokumin e nxehtë mund ta transferoni edhe në një enë tjetër dhe kur të ftohet ta prisni në forma katrore.

Pas ndarjes në forma, llokumet i pudrosim me sheqer pluhur apo arrë kokosi të grirë.

Ju bëftë mirë!



comments powered by Disqus
llokume

TË TJERA RECETA

RECETA GATIMI
Lexoni të tjera receta
Share by: