PANDISPANJË ME LULESHTRYDHE
Ëmbëlsirë e thjeshtë pandispanjë me luleshtrydhe dhe ajkë të freskët të rrahur (pana).
Përbërësit:
Për pandispanjën
- 95 gr miell
- 1 pako fryrës për ëmbëlsira
- 2 gr kripë
- 4 kokrra vezë
- 150 gr sheqer
- esencë vanilje
- 25 ml vaj lule dielli
Për mbushjen
- 300 gr luleshtrydhe
- 50 gr sheqer
- 15 ml ujë
Për kremin
- 250 gr ajkë pana
- 60 gr sheqer pluhur
Përgatitja:
Përgatitja e reçelit
Si fillim përgatitim reçelin për mbushjen e pandispanjë me luleshtrydhe. Në një enë hedhim luleshtrydhet e prera, sheqerin ujin dhe i vëmë në zjarr të ziejnë për 15 minuta. Më pas e lemë të ftohet.
Përgatitja e pandispanjës
Në një enë qelqi hedhim vezët, sheqerin dhe i rrahim me rrahësin elektrik për 5 minuta duke shtuar esence vanilje dhe vaj lule dielli.
Miellin e bashkojmë me fryrësin e sitim dhe vazhdojmë ta hedhim te vezët duke e përzier me anë të një shpatulle. Brumin e hedhim në një tavë 30×40 ku kemi shtruar një letër kuzhine.
Pandispanjën e pjekim në furrë të nxehur në 180 °C për 15 minuta. Pasi është pjekur tavën e kthejmë në një letër kuzhine të spërkatur me sheqer pluhur. Më pas e mbështjellim pandispanjën role duke e lënë të ftohet, ndërkohë merremi me kremin.
Përgatitja e kremit
Në një enë qelqi hedhim ajkën (lexoni përbërësi pana) dhe e rrahim për 5 minuta me rrahësin elektrik. Duhet të vëmë re se ajka duhet të jetë e ftohtë.
Në fund shtojmë pak sheqer pluhur dhe e përziejmë.
Hapim pandispanjën dhe e lyejmë gjithë sipërfaqen me panën e rrahur. Sipër i shtojmë masën e përgatitur me luleshtrydhe dhe disa kubik të freskëta. Sipër shtojmë akoma dhe pak krem.
Pandispanjën e mbështjellim me kujdes në formë roleje. E lëmë në frigorifer për të paktën 30 minuta. Më pas e vendosim pandispanjën me luleshtrydhe në pjatancë dhe e dekorojmë sipër sipas dëshirës.
Ju bëftë mirë!