Produktet do t’i japin pjatës suaj shijen dhe cilësinë që meriton!
Përbërësit:
- 1 qepë mesatare
- 1 karrotë mesatare
- bizele të ziera
- 1 domate mesatare (ose pak salcë)
- 3 filxhanë çaji (mesatarë) oriz
- 1 lugë supe gjalpë e freskët
- 3-4 lugë supe vaj çfarëdo
- 6 filxhanë çaji (mesatarë) me ujë të nxehtë
Përgatitja:
Përpara se të fillojë përgatitja e gjellës përfundimtare, karrotat dhe bizelet duhet të ziejnë përreth 30 minuta secila.
Hedhim në një tenxhere me fund të gjerë (apo në një tigan të madh me kapak) 1 lugë supe të mbushur me gjalpë. Pa u skuqur gjalpi shtojmë qepët e prera kubik. I trazojmë ato me një lugë druri pa i lënë të skuqen e aq më tepër të nxihen.
Ky është momenti që përcakton shijen e gjellës që do të përgatisim, prandaj kini kujdes mos e lini kurrë qepën në zjarr e të bëhet vetë.
Pasi janë zverdhur e zbutur pak qepët, hedhim karrotat e prera kubik (ashtu si dhe qepët). Në fund shtojmë domatet, të cilat i kemi prerë përsëri kubik (pasi t’i kemi hequr lëkurën dhe farat).
Pasi i kemi rrotulluar dhe pak domatet shtojmë bizelet e ziera, kripën dhe pak piper të zi. Në masën e perimeve hedhim sasinë e orizit dhe ujë të përvëluar sa dyfishi i orizit.
E përhapim masën në ujë në mënyrë të njëtrajtshme, i shtojmë sasinë e vajit dhe e mbulojmë me kapak.
Nëse uji ndërkohë ka filluar të vlojë e ulim gradacionin e nxehtësisë, të cilin më vonë e kalojmë në minimum. Nuk duhet ta trazojmë masën e gatuar derisa të vaket.
Me vonë, nëpërmjet një luge të sheshtë tavash e kthejmë pjesë-pjesë në mënyrë që yndyra të përhapet njëtrajtësisht.
Ju bëftë mirë!