TAVË ME KUNGULLESHKA TË SHTRUARA

TAVË ME KUNGULLESHKA TË SHTRUARA



Gatimet në tavë janë të njohura për shijen dhe aromën e mrekullueshme që lënë pas.

Të preferuarat e të gjithë familjes, janë gati në thuajse 50 minuta duke sjellë bashkë me shijen buzëqeshjen e të gjithë tavolinës.

Prandaj në këtë recetë ju tregojmë një mënyrë të re, shumë të lehtë të përgatitjes së tavës me kungulleshka dhe salcë domatesh.

Të gjithë përbërësit i gjeni të freskët në treg ndaj shija e tyre bashkë nuk do t’ju zhgënjejë aspak.

Ndiqni më poshtë hap pas hapi si të përgatisni tavën e thjeshtë të kungulleshkave vetëm më katër përbërës.

Përbërësit:

- 4 kungulleshka mesatare
- 350 ml salcë domatesh
- 300 gr djathë i bardhë
- 40 gr djathë i grirë kaçkavall


Përgatitja:

Fillimisht lani kungulleshkat me ujë të bollshëm.

Më pas pritini ato në shirita të holla në mënyrë që të ngjajnë si peta të vogla kungulleshkash deri në 10 cm të gjata.

Skuqini me shumë pak vaj nga të dyja anët, ato në tigan për disa minuta derisa të fillojnë të zbuten.

Zgjidhni tavën e pjekjes, ju sugjerojmë që të ketë madhësi përafërsisht 25 me 15 cm.

Shtroni me kujdes disa feta kungulli në të gjithë sipërfaqen e saj.

Sipër hidhni 2-3 lugë salcë domatesh dhe përhapeni atë me lugë nëpër fetat e kungulleshkave, kështu do të keni përfituar edhe shtresën e parë.

Hidhni disa feta djathë të bardhë në copëza ose të thërrmuar sipas dëshirës tuaj.

Shtroni sërisht fetët e pjekura të kungulleshkave duke i vendosur njëra pas tjetrës nëpër të gjithë sipërfaqen e tavës.

Sërish hidhni disa lugë salcë domatesh dhe shtrojeni nëpër të gjithë tavën dhe përsëri hidhni disa copa djathi të bardhë.

Bëjeni këtë proces derisa të gjithë fetët e kungulleshkave të mbarojnë, me këtë sasi llogaritet të dalin rreth tre shtresa.

Ruani pak salcë për në fund dhe pak djathë dhe mbulojeni tërësisht me to tavën tuaj.

Sipër hidhni edhe djathin e grirë kaçkavall i cili do t’i japë më shumë shije recetës tuaj.

Në këtë recetë nuk parashikohet sasia e kripës duke qenë se djathi përmban vetë kripë, por mund t’a shtoni sipas dëshirës tek shtresat.

Pasi të keni mbaruar me përgatitjen, futeni tavën tuaj në furrë për 30 minuta në temperaturën 180 gradë.

Në 5 minutat e fundit, mund ta shtoni pak nxehtësinë e furrës në mënyrë që tava të piqet mirë.

Pasi ta nxirrni nga furra lëreni të ftohet për disa minuta dhe mund ta konsumoni të ngrohtë.

Sipas dëshirës mund të shtoni pak borzilok sipër për një shije më të freskët.

Ju bëftë mirë!



comments powered by Disqus
Tavë me kungulleshka të shtruara

TË TJERA RECETA

RECETA ËMBËLSIRASH
Lexoni të tjera ëmbëlsira
Share by: