Nuk mund të quhet Viti i Ri pa përsheshin me gjel deti ose kaposh. Sa do i largohemi traditës shpesh here, në festën e fundvitit nuk mund ta imagjinojmë tavolinën pa pjatancën kryesore, Përsheshin e Vitit të Ri.
Përbërësit:
për përsheshin:
- Kulaçi i Vitit të Ri (kliko KËTU për të lexuar recetën) - 200 gr arra të qeruara
- 2 kokrra qep
- një tufe mender e freskët (ose të thatë në mungesë të saj)
- lëngu i pulës që do piqni
për pjesën tjetër:
- 1 kaposh ose gjel deti rreth 2 kg e gjysëm
- kripë dhe piper i zi
- 300 gr arra të qëruara
- 2 feta bukë
- majdanoz
- pak qumësht
- gjalpë në temperaturë ambienti
- 2 gota verë
- lëngë vegjetale të ngrohtë
- pak vaj ulliri
Përgatitja:
Fillimisht përgatisni kulaçin sipas kësaj recete (Kulaçi i Vitit të Ri). E mbështjellim me beze dhe e lëme të kullojë mënjanë.
Vendosni dy fetat e bukës në pak qumësht të na zbuten, i shtrydhim dhe i kalojmë në një mikser së bashku me arrat dhe majdanozin, shtoni pak kripë dhe piper të zi.
Përcëlloni mirë gjelin, thajeni me letër kuzhine nëse është akoma i njomë dhe kriposeni mjaftueshëm si jashtë dhe brenda, mbusheni me masën prej buke dhe arre që përgatitem, qepeni daljen me spango kuzhine ose me kunja druri.
Lyeni mirë nga të gjitha anët me gjalpin e butë dhe nëse keni kohë lëreni për rreth 1 orë të pushojë në frigorifer, nëse nuk keni kohë vendoseni të piqet në furrën e nxehur me parë në 180° për 30-40 minuta duke e spërkatur me pak vaj sipër dhe shuar me verën e bardhë kur ka filluar të marri faqe.
Pas kësaj mbulojeni me letër alumini, ulni gradacionin e sobës në 140 gradë dhe lëreni të piqet për 1 orë e 30 minuta.
(Mund dhe mos ta mbuloni nëse gjeli ështe i vogël.) Gjatë kësaj kohe duhet ta njomni me lëng vegjetalë të ngrohtë dhe yndyrën e tij.
Nga fundi ngrini gradacionin në 200°C, hiqeni letrën e aluminit dhe lëreni të theket plotësisht, njomeni përseri herë pas here që mos ju thahet mishi. Mblidhni lëngun e gatimit të tij dhe nëse nuk ju mjafton për të bërë përsheshin shtoi pak lëng vegjetalë që bërët për njomjen e gjelit. Ndërkohë që kemi gjelin akoma në furrë përgatisni përsheshin.
PËRGATITJA E PËRSHESHIT:
Thërmoni kulaçin me duar (kjo është e detyrueshme shkërmoqja me dorë). Grini qepën imët dhe në një enë të bollshme vendoseni të kavardiset me yndyrën e gjelit (vetëm yndyrën jo pjesën e lëngshme) nëse nuk ju mjafton shtoni pak vaj ose gjalpë, kur qepa ka filluar të marri ngjyrë transparente shtoni kulaçin e shkërmoqur dhe kavariseni për pak minuta.
Ndërkohë grini mëndren imët dhe shtojeni te përsheshi, filloni shtoni ngadalë nga një garuzhe nga lëngu i gjelit të pjekur dhe përzini vashdimisht në menyrë që mos ju ngjitet.
Kini kujdes me masën e lëngut që shtoni pasi duhet shtuar nga pak në këtë mënyrë përsheshi nuk do ju qullet.
Vazhdoni në këte mënyrë derisa brumi i Kulaçit të jetë i zbutur komplet, spërkateni akoma me mënder, shtoni thelpinjtë e arrave, përzijeni përsëri dhe shtojeni te tava ku po piqet gjeli dhe lëreni për rreth 5 minua. Në këtë mënyrë do kini një përshesh edhe me të shkrifët.
Fikni sobën dhe lërini të pushojnë për disa minuta. Servireni të ngrohtë.
Ju bëftë mirë!