ROLE VICI E MBUSHUR ME VEZË TË ZIERA DHE DJATHË
Përbërësit:
- 1.5 kg mish viçi për role
- 150 gr djathë kaçkavall në feta të holla
- 5-6 vezë
- rigon, kripë e piper sipas nevojës
- 3-4 lugë vaj ulliri
200 gr spek ose feta mortadele të prera hollë ose mos i vini nëse nuk ju pëlqen
- speca gogozhare të kulluara dhe të thara me letër nga lëngu
i tepërt
- 1 grusht galetë – që të mbledhë lëngjet gjatë pjekjes
- 2 grushte fëstëkë të kripur, të pjekur
- 1 gotë verë e bardhë
- 2 degë trumzë ose 3-4 gjethe sherbele
- lëng mishi i valuar, sipas nevojës (500 ml).
Përgatitja:
E presim mishin si libër për së gjati. E rrahim me rrahësen e mishit, e spërkasim me kripë e piper. Shtrojmë sipër spekun, fëstëkët, djathin, gogozhare, bukë të thekur të grirë mbi specat dhe për së gjati vëmë vezët e rigon mbi to.
E rrotullojmë si role, e lyejmë me kripë e piper dhe e lidhim me spango kuzhine për së gjeri e për së gjati dhe fiksojmë disa degë trumze/sherbele te spangoja.
Vëmë një tenxhere të gjerë, që ta marrë mishin në gjithë gjatësinë dhe pasi të ngrohim vajin e ullirit e skuqim me zjarr të mesëm mishin nga të gjitha anët për 6/7 minuta, duke e rrotulluar me lugë druri. E shuajmë me verë dhe pasi kjo e fundit të avullojë, shtojmë një garuzhdë lëng të valuar. I vëmë kapakun dhe e lëmë të ziejë me zjarr të ulët për 50/60 minuta afërsisht.
Gjatë kësaj kohe e rrotullojmë herë pas here dhe e lagim me lëng të valuar, sipas nevojës. Pas kësaj kohe, e shpojmë mishin me majë thike thellë dhe nëse del lëng i bardhë, mishi është gati.
E heqim nga tava, e mbulojmë me letër alumini që të rrijë ngrohtë dhe të rregullohen lëngjet në brendësi të tij, për 10 minuta. Pas kësaj kohe, heqim spangon dhe e presim në feta të holla.
Ju bëftë mirë!
TË TJERA RECETA PËR VITIN E RI
RECETA ËMBËLSIRASH